Deputeti i PD, Tomorr Alizoti e ka cilësuar si akt të turpshëm mosdorëheqjen zyrtare nga ana e Lulzim Bashës. I ftuar në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, Alizoti deklaroi se ish-kreu i PD, Lulzim Basha duhej të kishte firmosur një akt ku dokumentonte zyrtarisht largimin e tij nga ky post.

 

 

“Kryetari i partisë i cili ka dhënë dorëheqjen nuk ka bërë një akt që shkruhet. Një akt me pesë rreshta qe thotë: Unë tërhiqem nga ky post, e pranoj publikisht dhe dorëzojë një arkivë apo një dokument”, tha ai.“Ky është një akt kaq i paturpshëm sa edhe vetë turpi po të kishte një faqe do të skuqej para këtij turpi kaq të vogël. Ose qëndro në post ose jep dorëheqjen”, shtoi ai.

 

Alizoti deklaroi se është e turpshme që në zgjedhjet lokale të 14 majit, PD po futet me një kryetar që ka dhënë dorëheqjen, por në fakt zyrtarisht është ende në detyrë.

 

 

“Ne jemi afër europës dhe pretendojmë të shkojmë në europë, e cila ka koncepte filozofike mbi të drejtën. Të hysh në zgjedhje me kryetarin që është dorëhequr, por në aktin zyrtar figuron që është në detyrë. Kjo është një turp”, deklaroi Alizoti.

Në të njëjtën kohë Alizoti deklaroi se politika ka përdorur drejtësinë duke lënë të papërfaqësuar një pjesë të votuesve. Deputeti i PD komentoi situatën e krijuar në Partinë Demokratike pas vendimit për vulën e kësaj force poltike dhe deklaroi se në fakt ligji nuk është treguar i barabartë.

 

 

“Këta votues që janë mijëra dhe ndjekin një forcë, si mund të ngelin pa përfaqësuar. Institucioni i drejtësisë, përfaqëson të drejtën atë që ndodh në terren, sepse e kam dëgjuar shpesh në studio televizeve që vendos gjykata.

Gjykata nuk është Zoti. Gjykata operon me ligjet që ka dhe në vendet që kanë probleme demokratike, që për mua Shqipëria nuk është vend demokratik por është një vend hibrido-demokratik. Politika përdor drejtësinë sepse keni lexuar atë shprehjen e famshme që thotë se ligji është i barabartë për të gjithë, në Shqipëri ligji asnjëherë nuk ka qenë i barabartë për të gjithë. Shumica dhe politika kanë uzurpuar dhe drejtësinë”, tha ai.

Alizoti deklaroi se problemet e brendshme të Partisë Demokratike nuk duhej të ishin zgjidhur nga drejtësia, por me konsensus nga vetë ky subjekt.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *