Pas pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, serbët bllokuan edhe atë të Merdares. Këtë herë barrikada është vendosur në anën serbe të kufirit rreth 2 kilometra pa arritur në doganë.

Autoritetet serbe nuk kanë bërë asnjë reagim. Por i ashpër ishte qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se kriminelët do të arrestohen.

 

ALBIN KURTI

KRYEMINISTER I KOSOVES

 

Veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës i janë kundërvënë kriminelët duke sfiduar organet e zbatimit të ligjit, por edhe duke cenuar sigurinë e vendit. Fatkeqësisht këta kriminelë, të sanksionuar edhe nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveç cenimit të integritetit territorial të republikës sonë. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata.

 

Kurti shtoi se koha e dhënë KFOR-it për largimin e barrikadave po mbaron me shpejtësi.

 

ALBIN KURTI

KRYEMINISTER I KOSOVES

 

Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht kjo kohë po shteron me shpejtësi. Një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë.

 

Ndërsa ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha se Beogradi është i gatshëm për marrëveshje, por pa kaluar vijat e kuqe.

 

MILLOSH VUÇEVIÇ

MINISTRI SERB I MBROJTJES

 

Kjo nuk do të thotë të lëvizën vijat e kuqe të përcaktuara nga Serbia. Ajo marrëveshje duhet të garantoje siguri për serbët në Kosovë. Ky është kushti i të gjitha kushteve të vendit tonë. Ne na takon të gjejmë një zgjidhje politike dhe në të njëjtën kohë ushtria dhe policia janë të gatshme ta mbrojnë Serbinë dhe të gjithë qytetarët e saj.

 

Ministri i mbrojtjes bëri të ditur gjithashtu se presidenti Vuçiç është në kontakt të vazhdueshëm edhe me ambasadorët e Kuintit për situatën në veri të Kosovës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *