Gazment Bardhi duke folur nga foltorja e Kuvendit ju është përgjigjur deputetëve të mazhorancës duke thënë se nuk ka ardhur paqja, pasi askush nuk ishte në luftë.
Ai theksoi se mazhoranca duhet të harrojë kohën kur opozita digjte mandatet, sot e tutje ata do t’i kenë përballë në çdo debat.
“E para nuk kemi vendosur paqe, se nuk kemi qenë në luftë, kemi qenë në dy qëndrime të ndryshme, ju në krahun e shkeljes së Kushtetutës për të asgjësuar opozitën në Kuvend, dhe opozita krah Kushtetutës duke rezistuar. Nuk kisha ndërmend t’i kthehesha debatit, por dua të sqaroj se qëndrimi jonë ka qenë që ditën e parë se ne jemi të interesuar për veprimtari normale. Koha kur opozita digjte mandatit, është e shkuara jonë. E tashmja dhe e ardhmja është përballja në çdo institucion me Ramën dhe përfaqësuesit e tij“, tha Bardhi.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, Bardhi akuzoi Ramën dhe Bashën, se janë ata që kanë mbajtur peng Reformën për dy vite me radhë, për të mos u dhënë shqiptarëve zgjedhjet që meritojnë.
“Sa i takon reformës Zgjedhore, rikthehuni pak diskutimeve që kemi bërë korrik-shtator të 2023, ata që për dembelizmin e tyre e bllokuan Reformën Zgjedhore, dhe kishte një Pazar të qartë, për të mos u dhënë shqiptarëve e zgjedhje të lira dhe të ndershme“, u shpreh Bardhi.