Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka akuzuar mazhorancën se kërkon të shuajë zërin e opozitës në Kuvend. Ai fajëson socialistët se krijuan ngërç në funksionimin normal të seancës plenarë, në mënyrë që opozita të mos ngrejë zërin për aferat korruptive. Sipas tij po shkelet rregullorja e Kuvendit në dëm të demokratëve.

 

“Ju e dini që prej 3 javësh, mazhoranca e ka futur Kuvendin në një ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të Parlamentit. Me veprime të paprecedenta, duke nisur nga sjellja e Kryetares së Kuvendit, dhe më pas me vendime antikishtetuese, kanë marrë vendim për të asgjesuar opozitën në Parlament. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit ta shndërrojë veten në specialist arkive të një partie, duke injoruar kushtetutën dhe rregulloren e Parlamentit. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të hedhë në votim të drejtat e opozitës dhe shumica parlamentare të votojë për asgjesimin e tyre.

 

Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që të votohet për të rrëzuar kërkesat për Komision Hetimor, pa i dhënë të drejtën dhe mundësinë opozitës, për të folur dhe për të shpjeguar kërkesat e saj. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që mazhoranca t’i ketë diktuar opozitës, se me kë dhe si duhet të përfaqësohet në komisionet parlamentare. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që mazhoranca të rrëzojë brenda 1 viti, 8 kërkesa për komisione hetimore”, tha ai.

 

Sipas Bardhit, kjo është taktikë e mazhorancës për të hequr vëmendjën e qytetarëve nga skandalet korruptive në të cilat është përfshirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *