Subscribe

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama nga foltorja e Kuvendit.

Ai tha se qeveria e Ramës ka qenë më e korruptuara dhe tha se korrupsioni duhet trajtuar si një prioritet kombëtar.

Ai tha se Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në Europë.

“E vetmja gjë pozitive që mund të veçoj në këtë qeveri dhe nga ky kryeministër ditën e sotme, edhe pse iu deshën më shumë se 4000 ditë ta kuptonte, është pranimi prej tij se na u dashka më në fund një përpjekje e veçantë, ndryshe dhe e vendosur kundër korrupsionit të kësaj qeverie. Lufta ndaj korrupsionit të përhapur që është rrënjosur si asnjë herë më parë nën administratën e kryeministrit Edi Rama, duhet të trajtohet nga Kuvendi si prioritet kombëtar, sepse kjo është një çështje e një rëndësie kritike për të ardhmen e Shqipërisë:

Por një nismë e tillë do të ishte e besueshme, diçka pozitive për vendin, do të ishte serioze, vetëm nëse ata që e propozojnë, janë vetë seriozë dhe të gatshëm për ta luftuar korrupsionin.

Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht luftën ndaj korrupsionit, mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor. Jemi ne që kemi bërë 11 vite betejë për këtë, me qeverinë më të korruptuar të këtyre 34 viteve, më e korruptuara në Rajon e Europë.

 Të luftosh korrupsionin nuk ka nevojë as për fjalë dhe as për rezoluta. Ka nevojë për akte, për veprime. Edi Rama kishte 11 vite kohë të na tregonte të paktën një akt, një veprim, që ka vullnet për të luftuar korrupsionin, ka vullnet për të mirëqeverisur, ka vullnet për të respektuar shtetin ligjor.

Por për fat të keq, si çdo gjë tjetër, edhe luftën ndaj korrupsionit e konsideron çështje të propagandës së ditës apo PR, e lufton me fjalë, ndërkohë që veprat i ka krejt të kundërta. Dhe për propagandë dhe fjalë, Shqipëria ka humbur 11 vite, sepse Edi Rama tjetër thotë, tjetër premton, dhe komplet tjetër gjë bën.

Gjatë 11 viteve të fundit, qeveria e Edi Ramës ka demonstruar vazhdimisht se nuk është ajo fanar i përparimit dhe transparencës që pretendon të jetë, por përkundrazi një regjim që frymëzon dhe përjetëson korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë. Prandaj ndërsa Edi Rama propozon rezolutë për të luftuar korrupsionin, ne duhet të shqyrtojmë me kujdes rekordin e tij dhe të pyesim nëse qëllimet e tij përputhen me veprimet dhe politikat që kanë karakterizuar mandatin e tij”, tha Bardhi. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *