Subscribe

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka vendosur të thërrasë për herë të parë një mbledhje të përbashkët të 59 deputetëve të koalicionit opozitar për të koordinuar aksionin kundër qeverisë Rama.

 

Mbledhja do të zhvillohet të martën, në ambjentet e Hotel Tiranës në orën 12.00 dhe ftesa i është dërguar edhe liderit historik të PD Sali Berisha si dhe Lulzim Bashës, i cili u zgjodh një muaj më parë në krye të Partisë Demokratike.

 

Gjithashtu në këtë mbledhje janë ftuar edhe aleatët Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Dashamir Shehi, Agron Duka e Fatmir Mediu të cilët në 25 prill u zgjodhën deputetë si pjesë e koalicionit me PD.

 

GAZMENT BARDHI

 

“Duke ruajtur dhe respektuar qëndrimin apo mendimet individuale të çdo deputeti për zhvillimet apo debatin e brendshëm në Partinë Demokratike dhe në kampin opozitar, ndaj bindjen me shumicën e kolegëve që kjo nuk duhet të na pengojë për t’u bashkuar dhe për të unifikuar qëndrimin dhe aksionin opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës.”

 

Duke pranuar se konflikti brenda Partisë Demokratike ka dobësuar betejën kundër qeverisë Rama, Gazment Bardhi u bën thirrje deputetëve që të bashkohen dhe të përcaktojnë një axhendë të përbashkët të opozitës në betejën kundër mazhorancës socialiste.

 

Ajo që dihet është se Sali Berisha dhe të gjithë deputetët që e mbështesin atë do të pranojnë ftesën e Gazment Bardhit e do të shkojnë në mbledhjen e 5 shtatorit.

 

Edhe aleatët kanë konfirmuar që do të marrin pjesë. Por ende nuk dihet nëse Lulzim Basha dhe 10 deputetët që e mbështesin do të pranojnë ftesën e Gazment Bardhit apo jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *