Gjykata e Posaçme dëgjoi dëshmitarët e thirrur nga SPAK në procesin ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për “korrupsion zgjedhor”.
Dëshmitarët njëzëri mbrojtën kryetarin e bashkisë, duke e falenderuar për energjinë elektrike në zonë dhe përjashtuan mundësinë se ai u kishte kërkuar votën në këmbim.
“Ne kemi shkuar gjithë si banorë të fshatit Stajkë, jemi ankuar tek Kristian Shkreli, se nuk kishim energji elektrike. Faleminderit prej tij, se na ka sjellë dritat. Ne nuk kemi ca flasim për të. Për ne është i nderuar, i respektuar. Falë tij kemi edhe rrugën. Për zgjedhjet e 11 majit nuk kam marrë asnjë orientim nga Kristian Shkreli”, tha dëshmitari Alfred Martini.
Edhe dëshmitari tjetër ndoqi të njëjtën logjikë.
“Ne kemi pasur 22 vite pa drita, jemi la me kusi, ne flisnim me komshinjtë mos e ndez ti dritën, sa të pjek unë bukën. Jemi ankuar te ky zotnia dhe na ka zgjidhur punë. Kristiani na ka sjell korrentin dhe rrugën e makinës. Ankesa kemi bërë gjithmonë, muajin se mbaj mend kur është bërë takimi. Unë kam votu në 11 maj nuk jam orjentuar për të votuar nga asnjë person”, tha dëshmitari Kol Koleci.
Në përfundim të seancës, SPAK i përfaqësuar ngë prokurori Dritan Prençi kundërshtoi dëshmitë nën dyshimet se Shkreli u ka kërkuar vota për kreun e social- demokratëve, Tom Doshi. Gjykata e pranoi kërkesën e SPAK, ndërsa seanca e radhës është në datën, 6 mars.





