Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës protestuan në SPAK kundër ndërtimit të resortit luksoz në zonën e tyre. Njëzëri me pankarta në duar ata kërkuan drejtësi nga prokuroria e posaçme, si i vetmi institucion tek i cili besojnë. Një prej protestuesve tha se disponon të gjithë dokumentacionin për të provuar se pronat janë të tyre.
“Për të njëjtën pronë jemi dy persona, unë e kam që në vitin 1935 dhe Fatmir Shpellzaj vjen në 2019. Ne kemi shtëpia që 200 vjet dhe vjen një nga hiçi dhe thotë unë kam këtu se më ka vdekur i pari para 500 vjetëve. Rrjolli është zonë e mbrojtur. Fshatarët që jetojnë aty, u thonë s’ta legalizoj shtëpinë se e ke zonë të mbrojtur. Aty ku kishin interesin për të ndërtuar resorin luksoz e hoqën nga zona e mbrojtur. Gjyqtari që mori dënimi e merituar atje, më tha që letrat e tua janë fallso. Kurse zotëria pa letra fare i mori 1500 dynym tokë, për 1 vit i shiti, mori lekët dhe për 1 vit nisi ndërtimi”, tha një nga protestuesit.
Avokati Ndue Pjetra që i përfaqëson u shpreh se jane dy procese gjyqesore që po zhvillohen paralel.
“Ky popull ka thënë që nëse është në rregull ne ikim. Nuk paraqiten për të parë dokumentacionin. Grabitja e pronave eksiton, jemi në gjyq civile dhe kemi bërë kallëzim penal. Jemi në pritje të dy verdikteve. Në momentin që ata janë munduar të marrin tokën me forma të ndryshme, ai ka ardhur forcërisht, ka hyrë brenda dhe asnjë institucion nuk vjen”, tha avokati Ndue Pjetra.
Për të njëjtin problem një vit më parë banorët kanë depozituar në SPAK një kallëzim nën dyshimet se janë falsifikuar dokumentet me qëllim ndërtimin e resortit. Kallëzimi i është dërguar për kompetencë hetimore Prokurorisë së Shkodrës, organ i cili sipas banorëve nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Këtë të enjte ata depozituan në prokurorinë antikorrupsion një tjetër kallëzim me shpresën se këtë herë SPAK do të marrë në dorë hetimin e ndërtimit të resortit në Rrjoll./vizionplus.tv





