Banorët e Parisit dhe shumë qyteteve të tjera franceze janë zgjuar mëngjesin e sotëm në gjendje të rrethuar. Sindikatat bujqësore kanë deklaruar se nga ora 14:00 kanë planifikuar, duke grumbulluar traktorë, të bllokojnë tetë pika hyrëse dhe dalëse nga kryeqyteti francez, ndërsa protesta të ngjashme nga fermerët janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të mëdha franceze. Ndërkohë, shoferët e taksive po ndërmarrin veprime edhe në disa qytete franceze – si Marsejë dhe Bordo – për të protestuar ndaj çmimeve të karburantit.

Qeveria franceze ka njoftuar se pothuajse 15,000 oficerë policie do të vendosen rreth Parisit sot të hënën me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe në veçanti për të siguruar që traktorët të mos hyjnë në Paris dhe të parandalojnë funksionimin e qetë të tregut të saj ushqimor Ranzis, i cili është më i madhi në Evropë.

Kryeministri francez Gabriel Attal tha dje se po planifikohen masa shtesë për të mbrojtur sektorin bujqësor të vendit.

“Dua të sqarohen gjërat dhe të shohim se çfarë masash mund të marrim, masa shtesë, për këto histori të konkurrencës së pandershme…nuk është normale që nuk mund të përdorni produkte të caktuara, ndërsa vendet fqinje, Italia e të tjera, munden”, tha Gabriel Attal gjatë një vizite në një fermë në jug të Parisit ku dëgjoi protesta për një sërë çështjesh që shkaktojnë krizën në sektorin e bujqësisë: rënie të të ardhurave, pensione të ulëta, burokraci, shumë ligje dhe rregullore, konkurrencë nga jashtë etj. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *