Një situatë shqetësuese raportohet nga fshati Malinë, në njësinë administrative Trebinjë, ku shembja e plotë e rrugës ka izoluar totalisht dy lagje të fshatit. Sipas banorëve, aksi i dëmtuar ishte lidhja e vetme me rrugën kryesore, si dhe me tokat bujqësore dhe varrezat e fshatit.
“Rruga është shembur fare dhe na ka lënë të izoluar. Nuk lidhemi më as me rrugën kryesore, as me tokat dhe as me varrezat”, shprehet një banor.
Banorët ngrenë alarmin se situata po përkeqësohet nga dita në ditë, ndërsa rrëshqitja e dheut po avancon drejt lumit, duke rrezikuar seriozisht banesat që ndodhen në pjesën e sipërme të fshatit.
“Këtu duhen marrë masa sa më parë, sepse toka po lëviz dhe rrezikon shtëpitë. Çdo ditë situata bëhet më e rrezikshme”, thekson banori.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për stabilizimin e zonës dhe rikthimin e lidhjes rrugore, përpara se dëmet të përshkallëzohen dhe të rrezikohet jeta e banorëve.
Rrëshqitje rruge ka edhe në aksin Kalivaç-Dunicë i cili është i bllokuar, rruga e fsharit Zall Torrë si edhe rrëshqitje të rrugës në fshatin Laktesh.





