Subscribe

Edhe pse interesat e depozitave po shkojnë drejt nivelit zero, lajmi i mirë i uljes së shpeshtë të normës së interesit të lekut nga ana e Bankës Qendrore, është se për herë të parë ajo po reflekton kredi me kosto më të ulëta. Në fund të 2015-ës, Banka e Shqipërisë raporton se kredia në lekë ka arritur në nivelin mesatar 7%, ndërsa bankat kanë lehtësuar edhe kushtet në dhënien e huave.

“Marzhi i ndërmjetësimit ka shënuar rënie në muajt tetor-nëntor, në monedhën vendase dhe rënie më të dukshme në euro. Kjo ecuri ka reflektuar rënien më të shpejtë të normave të interesit të kredisë, përkundrejt normave tashmë të ulëta dhe pranë nivelit zero të depozitave. Reduktimi i normave të interesit të kredisë pasqyron rritjen e konkurrencës në tregun bankar, në prani të ofertave tërheqëse të bankave në këtë periudhë, sidomos në lekë”.

Por ekspertët e ekonomisë thonë se kjo nuk është e mjaftueshme për bizneset dhe qytetarët. Diferenca që bankat mbajnë në interesin mes parave që japin për depozita dhe fitimit që marrin  për kredi është sërish e lartë. Ekonomistët kërkojnë që të rritet kontrolli në sistemin bankar dhe të përshpejtohen procedurat në ekzekutimin e kolateralit të lënë peng në banka. Sipas tyre, vetëm pas uljes së nivelit të lartë të kredive me probleme, bankat do të munden të ulin më tej interesat.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *