Maqedonia e veriut, pas një fushate elektorale 3 ditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale është në heshtje zgjedhore.
Këtë të shtunë, votojnë grupe të caktuara, duke përfshirë personat që janë të infektuar me koronavirus, të burgosurit si edhe të moshuarit në azile.
Qytetarët do të zgjedhin kryetarët për 44 komuna si dhe atë të Shkupit.
Në raundin e parë, partia e kryeministrit Zaev i humbi pothuajse të gjitha bastionet e saj.
Nga 34 komuna ku u arritën votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarëve, 22 i fitoi partia opozitare VMRO-DPMNE, 9 LSDM-ja dhe 3 Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit.
Ndërkohë, partitë opozitare VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si dhe “E majta” arritën një marrëveshje për një koalicion të përbashkët në Shkup.
Të drejtë vote kanë rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë, të cilët për herë të parë do të votojnë me pajisje biometrike për identifikimin e votuesve.