Zëvendës kryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, mori pjesë sot në panelin e konferencës me qëllim paraqitjen e planeve dhe masave për rrugë të sigurta dhe turizëm të sigurt në Shqipëri.

Në konferencën ku morën pjesë ndër të tjera ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, Belinda Balluku tha se në vendin tonë janë përfunduar një pjesë të mirë e investimeve në akset rrugore kombëtare nga veriu në jug të vendit, sipas standardeve më të mira.

Ministrja tha se në Shqipëri do të ketë për herë të parë një autostradë Thumanë-Kashar me 130 km/orë. Nga data, 30 qershor, aksi Thumanë-Kashar do të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët, tha Balluku.

“Do të kemi për herë të parë në Shqipëri një autostradë Thumanë-Kashar me 130 km/orë që do të kërkojnë kujdes të shtuar nga ana e policisë, teksa shtoi se projektet në infrastrukturën rrugore i përgjigjen më së mirë fluksit të shtuar të turistëve…Nga ana tjetër është dhe Korridori Blu, një linjë që lidh Shqipërinë me pjesën tjetër të Europës. Nga data, 30 qershor, aksi Thumanë-Kashar do të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët”, u shpreh Balluku.

“Nga ana tjetër, të gjitha automjetet e tonazhit të rëndë dhe kalojnë tonazhin e përcaktuar do të penalizohen. Duhet thënë gjithashtu se tuneli i Llogorasë do të hapë një portë të re për vetëm shtatë minuta. Diçka tjetër shumë e rëndësishme që u përmend nga të dy kolegët është sensiviteti, që duhet të kenë vetë qytetarët”, vijoi ajo.

“Nëse drejtuesi i automjeti është duke shkruar në telefon ndërkohë që është në timon, policia e ka të pamundur të ndihmojë. Kemi pasur rastin e një personi verën e kaluar që mori më qafë një familje të tërë. Shkeljet e kodit rrugor janë të përgjithshme, nuk janë vetëm nga moshat e reja, por dhe nga drejtues me përvojë. Kështu që përgjegjësia është personale ndaj çdo drejtuesi dhe ne do të monitorojmë kodin rrugor, i ngjashëm me Bashkimin Europian”, theksoi Balluku.

Balluku tha se vitin tjetër do të nisin punimet për ndërtimin e një By Pass-i në Sarandë dhe për këta janë përdorur dronë për të parë se si zhvillohet trafiku në qytetin bregdetar.

“Ne kemi një marrëveshje të plotë me Ministrinë e Mbrojtjes që përgjatë sezonit do të përdoren dronët Bayraktar për arsye civile dhe monitoruese. Kemi bërë një ushtrim me dronët, një stimulim dhe ndjekje të trafikut në hyrje të qytetit të Sarandës. Vitin tjetër do të nisim nga puna për ndërtimin e një By Pass-i në Sarandë, kemi përdorur dronët për të parë se si ky trafik zhvillohej. Këto dronë do të jenë në dispozicion të institucioneve që operojnë në territor duke ju shtuar dronëve që ka në përdorim Ministria e Brendshme. Shpresoj që të mos kemi asnjë problematikë dhe bashkërendimi dhe sinergjia mes trupave është shumë e rëndësishme”, tha Balluku./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *