Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u zhvillua nën një retorikë të ashpër pasi dy ministrat, Donika Gërvalla dhe Nikola Selakoviç paraqitën pikëpamje tërësisht të kundërta mbi zhvillimet e gjashtë muajve të fundit.

 

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla deklaroi se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënimin më të madh për qëndrueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

DONIKA GERVALLA

MINISTRE E JASHTME, KOSOVE

 

“Sulmet po kryhen nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse presidenti Aleksandër Vuçiç nuk do t’i toleronte ato. Kosova është pjesë e perëndimit, ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë dhe kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Armatosja e vazhdueshme të Serbisë bën që të gjitha vendet e rajonit të jenë të kërcënuara. Ulja në dy karrige nuk është më një mundësi. Agresioni rus në Ukrainë i dha fund kësaj epoke”.

 

Ministri serb, Nikola Selakoviç, tha se gjendja në Kosovë është larg normales, ndërsa kritikoi raportin e UNMIK-ut për mospërfshirje të hollësive rreth asaj që ai i quajti, incidente kundër serbëve.

 

NIKOLA SELAKOVIC

MINISTER I JASHTEM, SERBI

 

“Kjo ishte hera e parë që prej vitit 1999 që qytetarëve serbë iu ndalua marrja pjesë në zgjedhje. Institucionet në Kosovë edhe njëherë demonstruan qasjen e tyre diskriminuese dhe po injorojnë përfaqësuesit e serbëve, po krijojnë ndjenjën e pasigurisë duke nxitur largimin e serbëve nga Kosova.”

 

 

Ministri serb akuzoi Prishtinën për moszbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa vuri theksin tek rëndësia e pranisë së UNMIK-ut në Kosovë. Por Ministrja Gërvalla nënvizoi se UNMIK-u nuk luan më rol në jetën e qytetarëve të Kosovës dhe është koha e përmbylljes së punës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *