“Ballkani i Hapur”/ BE: I mirëpresim angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal

Pas SHBA-ve, iniciativa e bashkëpunimit rajonal “Ballkani i Hapur” është mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero, në një intervistë për mediat në Kosovë, tha se Bashkimi Evropian mirëpret këtë angazhim të liderëve për bashkëpunim rajonal.
Po ashtu, ajo u ndal edhe te zotimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.
“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.
Kjo nismë nuk është përqafuar ende nga tre shtete të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Kosova e cila këmbëngul fillimisht për njohje reciproke nga Serbia.




