Partia Socialiste shprehet qartë se reformat zgjedhore dhe ajo territoriale do të miratohen me apo pa pjesëmarrjen e opozitës. Në mbledhjen e grupit të PS, shefi i deputetëve, Taulant Balla, theksoi se mazhoranca i ka votat e nevojshme për të miratuar reformat, megjithatë pjesëmarrja e së djathtëve do t’i bënte diskutimet më gjithëpërfshirëse.
“Ne jemi gati t’ju dëgjojmë në respekt të atyre që ju kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë, nëse nuk doni të punojmë së bashku, qoftë për këto dy reforma, qoftë për reforma të tjera. Nuk kemi asnjë ditë për të humbur”, Taulant Balla, kreu i grupit të deputetëve të PS.
Ligjvënësve të majtë iu drejtua me fjalën e tij edhe Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, i cili listoi një pjesë të ligjeve që duhen miratuar gjatë këtij sesioni.
“Do miratohen ndryshime në ligjin për organet e drejtësisë, për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. Kemi dy komisione të posaçme, shpresoj që puna të ecë siç është nisur me opozitën. Do synojmë të miratojmë projektligjin për funksionimin e Shqipërisë, që do përfshijë të gjithë deputetët; presim kontribut nga secili prej jush për një ligj organik që i jep një status më dinjitoz çdo deputeti”, Niko Peleshi, kryetar i parlamentit.
Pas fjalës së Peleshit dhe Ballës, diskutimet vijuan me raportimet e kryetarëve të komisioneve të Kuvendit.
/vizionplus.tv





