Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, Taulant Balla në fjalën e tij mbyllëse të Kongresit të Partisë Socialiste të mbajtur këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve theksoi se PS-së i lind detyra të vazhdojë punën përpara duke parë që opozita në papërgjegjshmëri ka krijuar një ngërç artificial.

 

Ndër të tjera në fjalën e tij Balla është shprehur se tashmë në këtë kongres është vendosur deri diku e gjithë plani i punës  për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, por edhe për ato të vitit 2021.

 

“Sot në Kongresin e PS ne erdhëm me bindjen e përforcuar se jemi e vetmja forcë politike që mund të qeverisë vendi duke garantuar një ekonomi të qëndrueshme, punësim, shërbime ndaj qytetarëve, drejtësi sociale dhe integrim në familjen e përbashkët evropiane. Të vetëdijshëm që opozita në papërgjegjshmëri të plotë politikë ka krijuar një ngërç artificial duke braktisur institucionet kushtetuese të vendit, na lind detyra të besojmë pa asnjë dallim masën e gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë për vendin e tyre, një të ardhme evropiane me më shumë oportunitete për gjeneratat që do vijnë. PS në këto 5 vite e gjysmë është krenare për qeverisje dhe njësoj e vetëdijshme për sfidat në vazhdim. Ky Kongres vendosi piketat për përgatitjen e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të Qershorit 2019 dhe sigurisht edhe për zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2021”.

 

Gjithashtu ka komentuar dhe ftesën e kryeministrit Rama për opozitën, duke e quajtur kuptimplotë. Ai përsëriti thirrjen e shefit të qeverisë, ku theksoi se nëse opozita merr pjesë në zgjedhje dhe fiton një bashki më shumë ato do të jenë të  gatshëm për të përmbushur kërkesat e tjera të opozitës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *