Kreu I grupit parlamentar I PS, Taulant Balla ka zhvilluar një sërë takimesh intensive në Qeverinë dhe Parlamentin e Rumanisë. Takime do të vijojnë dhe ditën e nesërme, ndërsa janë njoftuar nga vetë Taulant Balla, I cili në një postim në Facebook, shprehet se takimin e parë e ka zhvilluar me ministrin e Brendshëm rumun Mihai Fifor dhe me Ministrin e Financave Eugen Teodorovici.
Gjatë takimit, Balla njofton se u vlerësua niveli i mirë I marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se Rumania do të mbështesë fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësimin mes BE dhe Shqipërisë. Balla thekson gjithashtu se të dyja vendet si anëtare të NATO do të punojnë në konsolidimin e paqes në rajon, ndërsa bën me dije se është kërkuar që Rumania të njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Balla njofton gjithashtu se pasditen e kësaj të hëne do të takohet me Kryeministren e Rumanisë Viorica Dăncilă kryetare e PSD, si dhe me drejtuesit e grupeve parlamentare të opozitës rumune.
“Sot dhe nesër takime intensive në Qeverinë dhe Parlamentin e Rumanisë. Takimi i parë me Zëvendës Kryeministrin-Ministrin e Brendshëm Mihai Fifor dhe me Ministrin e Financave Eugen Teodorovici. Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Rumania mbështet fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë. Si dy vende partnere dhe aleate në NATO, Shqipëria dhe Rumania besojnë fort se dy shtete të konsoliduara në rajon kontribuojnë jo vetëm për paqen dhe sigurine kolektive të tij, por edhe më gjerë, duke promovuar demokraci dhe liri në vende të tjera ku ka konflikte, në bashkëpunim të ngushtë me partnerë strategjikë si SHBA dhe vende të tjera të NATO-s dhe BE-së. Shqipëria do të mirëpriste nga Rumania njohjen e Kosovës, ishte kërkesa jonë në takim. Nga pikepamja ekonomike, rritja dhe diversifikim i shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve rumune në turizëm, në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, ndërtimin e infrastrukturës në energji, industrinë e erës, industrinë kimike, tekstile, agro-biznes, etj, do të jenë prioritete të bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Pasdite do të vijojë takimi me Kryeministren e Rumanisë Viorica Dăncilă kryetare e PSD, si dhe në parlament me drejtues të grupeve parlamentare të opozitës.”





