Duke iu rikthyer çështjes së vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, nga Pika e Kalimit Kufitar e Kakavijës ku ministri i Brendshëm Taulant Balla, ishte në një aktivitet në krah të të Ngarkuarit me Punë të SHBA në Tiranë David Wisner, deklaroi se ka ardhur koha që çdo punonjës i Policisë së Shtetit të zgjedhë mes uniformës, zbatimit të ligjit apo bashkëveprimit me krimin.

 

Një ditë më parë, ministri Balla firmosi urdhrin që ka bashkëlidhur formularin për vetëdeklarim të çdo punonjësi policie, nëse ka patur akses në aplikacionet SKY ECC/Encro Chat.

 

“Procesin e vetëpastrimit në Policinë e Shtetit duhet ta vazhdojmë çdo ditë në mënyrë sistematike, për ta çuar këtë proces në një nivel tjetër. Sepse në një nivel tjetër duhet të çojmë besueshmërinë e qytetarëve shqiptarë tek Policia. Sa më shumë luftojmë korrupsionin brenda policisë së Shtetit, aq më shumë rritet besimi i qytetarëve”, theksoi Balla nga Gjirokastra.

 

Duke iu drejtuar forcave kufitare në jug të vendit, ministri u ndal tek rasti i arrestimit të një zyrtari policie në Kapshticë.

 

“Para pak ditësh AMP në bashkëpunim me Prokurorinë goditën një rast që nuk është i vetëm, brenda nesh, që me uniformën e Policisë së Shtetit bashkëpunonte me krimin në trafik të lëndëve narkotike. Do të jemi shumë të fortë, shumë të ashpër për të luftuar këtë fenomen në Policinë e Shtetit në gjithë këto vite, pa asnjë tolerancë sepse synimi ynë është që ta bëjmë Policinë e Shtetit institucionin më të besuar në këtë vend”, ishte apeli i fortë i Ballës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *