Subscribe

Kryeministri Edi Rama kërkon hetimin e Monika Kryemadhit, pas publikimit nga “EU-Reporter” se ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim është financuar me para ruse, nga oligarkë të afërm me presidentin Vladimir Putin.

 

Në twitter, kreu i qeverisë i është rikthyer akuzave të tij se drejtësia nuk duhet të punojë me dy standarde, duke hetuar vetëm për akuzat që opozita hedh ndaj socialistëve, duke iu referuar kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

 

Ai akuzohet se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, duke fshehur dënimin e marrë nga gjykata e Janinës në vitin 1999 për kalim të paligjshëm të kufirit. Vetë kandidati i PS për bashkinë e Kuçovës, në një reagim në facebook, e mohoi të qenurit në dijeni të një vendimi të tillë dhe tha se me të është njohur nga mediat.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Po ç’paskeni qenë o rubla që na i morët me radhë me motra e me vëllezër opozitarë! Po ato konto bankare ofshor çfarë janë vallë se këtyre u mbinë në gojë ofshoret, po i paskan pasur të tyret shejtanët e shejtanet. Verifikimi ligjor i atyre letrave të pista dalë në mexhelis në ekranet e mëdha kombëtare është domosdoshmëri dhe drejtësia duhet të provojë se nuk punon me dy standarde, siç punojnë altoparlantët e llojllojshëm të lukunisë kinse opozitare që për këto tmerre as nuk bëzajnë fare.

 

Me herët ishte Taulant Balla, që pasi mori në mbrojtje Kreshnik Hajdarin tha se Partia Socialiste është e mirëpritur të bashkëpunojë me Enkelejd Alibeaj, për të bashkuar në një nismat ligjore, që synojnë pastrimin e politikës nga bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *