Në analizën e 6 muajve të fundit të policisë së Tiranës, ministri i Brendshëm Taulant Balla është treguar kritik në lidhje me sektorin e Krimeve të rënda dhe të vrasjeve.

Balla ka vendosur theksin në ngjarjet e pazbardhura që kanë tronditur kryeqytetin duke përmendur edhe atentatin e ditëve të fundit ku u plagos në zonën e Selitës Zamir Kalemi.

Burime për Vizion Plus bëjnë të ditur se Balla u ka kërkuar më shumë angazhim në hetime për zbardhjen e ngjarjeve të rënda, por edhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Ndërkohë që është shprehur i pakënaqur me sektorin e vrasjeve, ndryshe është shprehur për antidrogën e Tiranës. Kreu i ministrisë së Brendshme vlerësoi se gjatë 2023 sektori i antidrogës ka pasur rritje të fuqisë goditëse deri në masë 100% në hetime dhe 30-50% në kapje të llojeve të ndryshme më shumë të lëndëve narkotike në krahasim me vitin 2022, duke veçuar operacionin “Tempulli”, me 112 persona të arrestuar fillimisht në kryeqytet.

Sa i takon krimit ekonomik, Balla tha se organika e këtij sektori do të rritet sërish, për shkak të nevojës.

Pas ndryshimeve të bëra disa muaj më parë me thuajse shkrirjen e këtij sektori dhe kalimin në drejtorinë e përgjithshme, është parë e arsyeshme që të shtohen sërish agjentët. Ndërkohë, vlerësim pozitiv Balla ka pasur edhe për Komisariatin Rrugor për menaxhimin e trafikut si dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *