Ministria e Brendshme ishte institucioni i parë që bëri bilancin e vitit 2023. Teksa foli për arritjet e policisë, ministri Taulant Balla u ndal edhe në disa çështje të nxehta për drejtësinë dhe politikën. Sa i takon komunikimit që Sali Berisha bëri nga ballkoni i banesës së tij me simpatizantët në një kohë që është në arrest shtëpie, Balla tha se ligji e ka të specifikuar të gjitha kufizimet, ndërsa ish-kompleksin “Partizani” e konsideroi një aferë të pastër korruptive.
“Kodi i Procedurës Penale, neni 237 pika 4 është i qartë për mënyrën e zbatimit të arrestit në shtëpi. Kodi thotë se gjatë arrestit në shtëpi ke të gjitha ndalimet që ke edhe gjatë arrestit me burg. Nuk e kam shkruar unë, as zotëria por e kam votuar edhe unë edhe zotëria. Këtu është ndarja e dy botëve, sa e respekton ligjin. Nuk do të hyj në asnjë koment. Nuk kam pasur asnjë kontakt me policinë sa i përket detyrës së policisë që shtetasi në fjalë të trajtohet një lloj si çdo qytetar. Është e papranueshme por i takon institucioneve të tjera të bëjnë komente për këtë”, tha Balla.
Lidhur me çështjen e “21 janarit” Balla bëri të ditur se predha që i mori jetën Aleks Nikës pritet të dërgohet në Itali për ekspertizë, veprime hetimore të nxitura edhe pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut.
“Në këtë këndvështrim, vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka hapur një mundësi të re, dhe duhet t’i shkohet deri në fund. Policia e Shtetit po bën pjesën e vetë, që lidhet me ekzaminimet, pas dy ditësh do niset në Itali për ekzaminimin e predhave dhe element të tjerë, pa hyrë për të respektuar sekretin hetimor, në mënyrë që të konkludohet edhe sa i përket elementëve të tjerë gjatë hetimit të çështjes”, shtoi ministri i Brendshëm.
I pyetur nga gazetarët për një amnisti në lidhje me dorëzimin vullnetar të armëve, ministri i brendshëm u shpreh së shpejti pritet të kalojë në Kuvend jo vetëm falja penale, por edhe mbështetja sociale.
Ministri i Brendshëm u ndal edhe te procesi i vetëpastrimit në lidhje me formularët “SKY ECC” dhe “EncroChat”. Taulant Balla paralajmëroi ndryshime ligjore për të goditur monopolizimin e kupolës drejtuese të policisë.
“Ndryshimet mund t’i përmbledhja ‘dinamizim, energjizim i trupës së policisë së shtetit dhe përmirësim të karrierës së policisë. Duhet t’i japim mundësinë çdo punonjësi të policisë të bëjë karrierë. T’i japim fund monopolizimin të strukturës drejtuese brenda policisë së shtetit”, deklaroi ministri Balla.
Balla konfirmoi se po punohet për ekstradimin e personave të rrezikshëm edhe me vendet me të cilat nuk ka marrëveshje./vizionplus.tv
“Lidhur me pyetjen e parë dua të them se Kodi i Procedurës Penale, neni 237 pika 4 është i qartë për mënyrën e zbatimit të arrestit në shtëpi. Kodi thotë se gjatë arrestit në shtëpi ke të gjitha ndalimet që ke edhe gjatë arrestit me burg. Nuk e kam shkruar unë, as zotëria por e kam votuar edhe unë edhe zotëria. Këtu është ndarja e dy botëve, sa e respekton ligjin. Nuk do të hyj në asnjë koment. Nuk kam pasur asnjë kontakt me policinë sa i përket detyrës së policisë që shtetasi në fjalë të trajtohet një lloj si cdo qytetar….Të gjitha konstatimet që ata bëjnë gjatë zbatimit të këtij vendimi të gjykatës dhe urdhërit që ka nxjerrë prokuroria për rastin. Është e papranueshme por i takon institucioneve të tjera të bëjnë komente për këtë”, tha ministri. /vizionplus.tv





