Drejtuesi politik i qarkut Fier Taulant Balla së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe Kryetarin e Bashkisë Fier Armando Subashi kanë zhvilluar sot takime me fermerët e kultivimit të luleshtrydhes në Kafaraj.

 

Balla në fjalënbe tij tha se pavarësisht situatës së rritjes së çmimit të naftës e cila prek edhe bujqësinë, qeveria përmes skemës së naftës falas për bujqësinë është instrumenti i duhur për t’i ardhur në ndihmë fermerit.

 

“Ne e dimë se rritja e çmimit të naftës prek bujqësinë, prandaj skema jonë e NAFTËS FALAS PËR BUJQËSINË është instrumenti i duhur. Të mos harrojmë se qeveria i është vënë në krah si kurrë më parë, familjeve e bizneseve të vogla, duke marrë pesëfishin e barrës financiare të faturës së tyre të energjisë. Asnjë qeveri nuk e ka bërë këtë, as edhe një në gjithë Europën”, tha Balla.

 

Duke iu bashkuar thirrjes së ministres Krifca për të aplikuar, Balla kujtoi fermerët e mbledhur në Kafaraj se ka një përfitim prej 200 mijë lekësh të reja për çdo hektar të mbjellë me luleshtrydhe.

 

“Mbështetja buxhetore është për të gjithë. Rrisim mbështetjen buxhetore për naftën sepse duhet që asnjë shqiptar që punon tokën të mos lihet pa marrë naftën pa taksa. Dy orë nga këtu bëhet luftë. Çmimi i energjisë elektrike është pesë herë më i lartë se një vit më parë. Dhe çmimi i energjisë elektrike në faturat tona nuk ka ndryshuar”, u shpreh Balla.

 

Ndërsa ministrja Krifca në fjalën e saj u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për të përfituar në Skemën Kombëtare dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin për të ndërtuar një bujqësi më të konsoliduar dhe të strukturuar.

 

“Doja t ju ftoja që ata që nuk kanë aplikuar, se nuk kanë një hektarë vetë, të ndërveprojnë me një marrëveshje të thjeshtë mirëkuptimi. Ka një arsye pse duhet të orientojmë fermerët drejt fermave të mëdha dhe bashkimit. Fatkeqësisht është bërë një gabim shumë i madh herët me ndarjen e tokës, që ka sjellë copëzimin e tokës, e rrjedhimisht një problematikë me produktivitetin dhe sipërfaqet e mëdha që na duhen për të pasur një bujqësi që eksporton, që dikton çmimet. Ndërsa me naftën bëmë një transformim shumë të madh vitin e kaluar, dhe këtë vit do të shtohet sasia e naftës pa taksa që do të përfitojnë fermerët”, deklaroi Krifca.

 

Kujtojmë që Fieri është ndër furniziuesit kryesor të tregut vendas me luleshtrydhe dhe gjithashtu eksporton drejt vendeve të Ballkanit dhe Europës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *