Subscribe

Konkluzionet e prokurorisë për video përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike ku pretendohej se ishte përfshirë vëllai i ministrit të brendshëm, nuk kanë ndryshuar asgjë në pozicionin e opozitës. Kryetari i PD-së Lulzim Basha mbrojti sërish vërtesinë e përgjimit.

 

 “Regjistrimi është i vërtetë, zëri është i Agron Xhafajt. Sado të manipulojnë hetimet, nuk do ja dalin dot.”

 

Por roli i organit të akuzës në zbardhjen e çështjes Babale, shtyu liderin e opozitës të bëjë një prej deklaratave me të ashpra kundër prokurorisë se Krimeve të Rënda.

 

 “Prokuroria e në veçanti prokuroria e krimeve të rënda është sot një celulë kriminale e cila në mënyrë të jashtëligjshme dhe kriminale shkatërron hetimet, shkatërron dhe manipulon provat, krijon alibi, nga rasti i Xhisielës tek rasti i Agron Xhafajt.”

Basha i është kundërpërgjigjur edhe akuzave të rivalit politik Rama.

 

“Ka përqafuar metodën enveriste të konspiracioneve. E dëgjuat si tha sot: Ne! Kush ne?! Ti je ekzekutivi, ka parlament, ka prokurori. Kush ne? Shteti dhe partia!? Do të zbulojmë konspiracionin.”

Kreu i PD-së ka komentuar edhe përplasjen e armatosur në zonën e ish-bllokut pak ditë më parë, përplasje e cila sipas tij u shkaktua nga prishja e pazareve të drogës.

 

“Ku janë të përfshirë trafikantë të njohur dhe të dokumentuar me lidhje me pushtetin. E mbani mend kur Saimir Tahiri u nis për në Gjermani, pasi ia kthyen pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në lokal në goditjen me armë mes bandave.”

 

Në të njëjtën kohë që Basha fliste për situatën kriminale në vend, në ambjentet e Kuvendit ishte mbledhur pa opozitën komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore. Por pavarësisht se Basha e denoncoi këtë mbledhje si të njëanshme, garantoi se opozita do të jetë pjesë e ketij komisioni për të përmbyllur reformimin e kodit electoral.

 

 “Nuk kemi bojkotuar asnjë sesion të Komisionit, nuk do të bojkotojmë asnjë sesion të Komisionit thënë kjo, duhet të jemi syçelur sepse spiralja ku e ka futur sot procesin e Reformës Zgjedhore Edi Rama, është shkatërrimi i Reformës Zgjedhore. “

Basha u kujdes të theksoje se pavarësisht rëndësisë që ka vettingu në politikë ai nuk do të kushtëzojë reformën zgjedhore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *