Armenia dhe Azerbajxhani kanë filluar bisedimet në Gjenevë, me ndërmjetësimin ndërkombëtarë, për të gjetur një zgjidhje të konfliktit të armatosur për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

Të dyja vendet kanë arritur tre armëpushime, mirëpo asnjërit nuk i janë përmbajtur. Bisedimet po ndërmjetësohet nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – shtete që kryesojnë të ashtuquajturin Grup të Minskut të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).

Grupi i Minskut është një nismë diplomatike që ka për qëllim zgjidhjen e këtij konflikti, që daton që prej vitit 1988, në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Grupi ka thënë se në takimin e Gjenevës do të merren “të gjithë hapat e nevojshëm për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit”.

Luftimet e fundit në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut – që nisën më 27 shtator – kanë lënë të vrarë qindra ushtarë dhe civilë dhe këto luftime po konsiderohen si më të ashprat që prej armëpushimit të vitit 1994, që i dha fund luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për statusin e rajonit të Nagorno Karabakut.

Nagorno Karabaku ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por ky rajon kontrollohet nga armenët etnikë – që kanë mbështetjen e Jerevanit – që prej vitit 1994.

Dhuna që ka shpërthyer së fundmi ka rritur frikën se mund të zgjerohet dhe në të mund të përfshihen edhe dy aleatët kryesorë të Azerbajxhanit, Turqia dhe Rusia./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *