Subscribe

Komisioneri për Çështjet e Brendshme, Migracionin dhe Shtetësinë në Bashkimin Europian Dimitris Avramopoulos, mbërrin të hënën në Tiranë për të biseduar me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, mbi situatën e azilkërkimit.

 

Mësohet se komisioneri do të takohet me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati. Zyrtari i lartë i BE-së do të pritet në një takim të veçantë edhe nga kryeministri Edi Rama, si dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

 

Pjesë e axhendës së vizitës së Komisionerit Avramopoulos është edhe takimi me Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos.

 

Bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe atyre të BE-së mbi emigracionin, sigurinë dhe menaxhimin e kufijve, do të analizohen gjatë takimeve, detaje të së cilave pritet të bëhen publike në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit Xhafaj dhe komisionerit Avramopoulos.

 

Komsioneri i Bashkimit Europian mbërrin në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, kur pritet vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim.

 

Situata e azilkërkuesve shqiptarë në disa vende të BE-së disa vite më parë është konsideruar shqetësuese.

 

Ndërkohë që prej vitit 2017, BE ka njohur meritat e autoriteteve shqiptare në frenimin e fluksin të azilkërkuesve shqiptarë, si dhe gatishmërinë për riatdhesimin e tyre.

 

Sipas BE-së Shqipëria është vendi që i është përgjigjur pozitivisht kërkesave për riatdhesim të azilkërkuesve të paligjshëm. Merita të cilat pritet të theksohen në daljen publike për mediat të komisionerit Dimitris Avramopoulos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *