Avramopoulos: Liderët e BE të rishikojë vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Komisioneri evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos është shprehur se Brukseli do të vazhdojë të punojë dhe t’i mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në aspiratat e tyre për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Në fjalën e tij për kolegët e tij të BE, Avramopoulos theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një zonë që historikisht, politikisht dhe kulturalisht i përket Evropës.
Sipas mediave greke komisioneri është shprehur se është në pritje që liderët e BE-së do të rishikojnë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
“Është në interesin e të gjithë Evropës që ky rajon historikisht i ndjeshëm të jetë një model bashkëpunimi, paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në të ardhmen e afërt. Unë pres që liderët e BE-së do të rishikojnë vendimin e tyre për të filluar bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por mbi të gjitha, shpresoj që i gjithë rajoni së shpejti të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.”




