Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka reaguar pasi mediat amerikane publikuan një incizim ku ai dhe avokati i tij, Michael Cohen diskutojnë për një pagesë të mundshme për një modele në këmbim të heshtjes së saj për të mos folur mbi marrëdhënien me Trump.

 

“Çfarë lloj avokati do të incizonte një klient? Kam dëgjuar se klientë të tjerë dhe shumë gazetarë janë incizuar. A mund të jetë e vërtetë? Sa keq”, shkruan Trump në Twitter, ndërsa sugjeron se incizimi ishte ndërprerë, aty ku ai mund të ishte duke thënë gjëra pozitive.

 

Në regjistrimin  e publikuar Cohen flet për nevojën e “hapjes së një kompanie për transferimin e gjithë informacionit për mikun e tyre, David”. Mendohet se ai i referohet mikut të Trump dhe Presidentit të kompanisë “American Media”, David Pecker.

 

Në një moment Trump pyet se sa duhet paguar: “150 (mijë) dollarë” ?

 

Ai përmend gjithashtu një pagesë me para në dorë, por nuk dëgjohet qartë nëse po sugjeron që të paguhet “cash” apo jo.

 

Avokati i Trump e kishte regjistruar në mënyrë të fshehtë bisedën në muajin shtator të vitit 2016, para zgjedhjeve presidenciale. Por kreu I Shtëpisë së Bardhë e ka mohuar vazhdimisht se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me modelen Karen McDougal e cila ia shiti historinë e saj kompanisë botuese të tabloideve, American Media për 150 mijë dollarë.

 

Nga ana tjetër, avokati i Trump ka paguar 130 mijë dollarë në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, pavarësisht se kohët e fundit ai ka thënë se e bëri pagesën me iniciativën e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *