Një operacioni i përbashkët “Ura” mes Shqipërisë dhe Italisë, kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave u zhvillua të mërkurën.
Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.
I ftuar në Quo Vadis në Vizion Plus, avokati Gentian Rumano tha se Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit e kanë kryer këtë megaoperacion për të fituar vëmendjen e humbur gjatë fushatës elektorale.
Rumano nënvizoi se tashmë nuk ka më rrjedhje informacioni, por ka neglizhencë më të madhe nga grupet e strukturuara kriminale.
Sipas avokatit, në momentin që grupi goditet duke u bërë publik, zbehet mundësia e tyre për të operuar në terren.
“Nëse i referohemi pse është bërë pas zgjedhjeve, unë e shoh një veprim për të rimarrë atë vëmendje që Prokuroria e Posaçme ka humbur nga zgjedhjet. Ky është një operacion që të jep vëmendje, me të thënë të drejtën. Ka kohë që hetohet ky grup nga prokuroria dhe tani prokuroria e konfirmon. Kemi një riidentifikim të këtyre subjekteve nga veprimtaria e komunikimeve që janë zbardhur nga platformat Sky ECC.
Nuk shoh më të ketë një rrjedhje informacioni në veprimtaritë e fundit që janë kryer nga SPAK dhe Policia e Shtetit. Strukturat ndërvepruese me njëra-tjetrën tashmë mendojnë se duhet të kenë hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga të shiturit e operacioneve. Dihet që ka hetim të vazhdueshëm në lidhje me rrjedhjen e informacionit. Edhe ata që e kanë bërë më parë, stepen për të ruajtur edhe veten e tyre.
Pastaj edhe grupet e strukturuara kriminale janë në alert 24 orë dhe kanë një lloj organizimi. Tashmë nuk ka më rrjedhje informacioni, ka neglizhencë më të madhe nga grupet e strukturuara kriminale. Në momentin që grupi goditet duke u bërë publik, zbehet mundësia e tyre që ata të operojnë në terren. Ata do ta marrin veten, sigurisht, por në një interval të shkurtër kohor këto grupe nuk do jenë funksionale”, tha Rumano.
/vizionplus.tv