Avionët luftarakë serb fluturojnë mbi Preshevë

Pas incidenteve në veri të Kosovës me arrestimin e shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qëverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, sot rreth orës 14:00, qytetarët shqiptarë të Komunës së Preshevës janë shqetësuar, për shkak të fluturimit në distancë të ulët të avionëve ushtarak të Republikës së Serbisë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar kreu I Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, I cili bën thirrje institucionet përkatëse qëndrore të mos keqpërdorin hapsirat e Komunës së Preshevës për demonstrimin e forcave si reagim i ngjarjeve politike të shënuara ditë më parë.
“Sot rreth orës 14.00 qytetarët e Komunës së Preshevës janë shqetësuar nga fluturimi në distancë të ulët të avionëve ushtarak të Republikës së Serbisë. Me indinjatë të thellë konstatojmë se veprimet e tilla shtojnë pasigurinë dhe ankthin tek shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ftoj institucionet përkatëse qëndrore të mos keqpërdorin hapsirat e Komunës sonë për demonstrimin e forcave si reagim i ngjarjeve politike të shënuara ditë më parë. Gjithashtu siguroj qytetarët e Komunës së Preshevës se kemi mbështetjen dhe besimin e plotë të miqve tanë ndërkombëtarë dhe ftoj që ti përmbahemi provokimeve eventuale dhe aktiviteteve spontane”, shkruan kryetar i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
SHBA-të i kanë dënuar me forcë ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, duke bërë të qartë se ato rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal. Ndërsa Ministria ruse e Punëve të Jashtme ka akuzuar KFOR dhe EULEX, të cilët sipas saj “i vëzhguan ngjarjet si të huaj dhe nuk zbatuan mandatin e tyre”.




