Subscribe

Një ditë pas takimit  të dy ministrave të jashtëm Ditmir Bushati e Nikos Kotzias në Korçë, Ministria e Jashtme Greke njofton zyrtarisht nisjen e procedurës së identifikimit dhe zhvarrosjes të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës Italo-Greke.

 

Nëpërmjet deklaratës së saj, Ministria e Jashtme e Greqisë e quan një hap shumë të rëndësishëm realizimin e këtij procesi.

 

 “Në negociatat  e Kretës nëntorin e shkuar është diskutuar dhe  çështja  e gjatë  e varrezave për të rënët  grekë. U ra dakord dhe sot po zbatohen, dhe ndërmerren hapa për të zbatuar plotësisht marrëveshjen përkatëse në mënyrë që kjo çështje humanitare të zgjidhet më së miri”.

 

Athina zyrtare përshëndet mbajtjen e premtimit nga qeveria Shqiptare.

 

“Përshëndesim  dhe  mirëpresim përgjigjen e qeverisë shqiptare ndaj kësaj kërkese historike, e cila  demonstron  se dialogu dhe bashkëpunimi në një frymë konstruktive dhe të patrazuar mund të çojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe në krijimin e perspektivave pozitive për marrëdhëniet midis vendeve të rajonit tonë dhe popujve të tyre”.

 

Gjithashtu në deklaratë, Ministria e Jashtme thekson se do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe seriozitet për të mbrojtur interesat kombëtare të Greqisë, duke kultivuar norma të mira fqinjësore e dialog e duke u mbështetur në të ardhmen e përbashkët evropiane që meritojnë të dy vendet.

 

Në muajin dhjetor Ministri i jashtëm Kotzias përshëndeti dhe vendimin e Qeverisë Rama të datës 13 dhjetor për varrezat greke. Menjëherë pas nënshkrimit të VKM-së, u ngrit Komisioni i Përbashkët  Shqiptaro-grek i cili zhvilloi takimin e tij të parë në 20 dhjetor 2017 në Athinë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes midis dy shteteve  në lidhje zhvarrosjen e të rënëve gjatë Luftës italiane-greke 1940-41. Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve ra dakord per fillimin e punës në 22 janar. Takimi i ardhshëm i këtij Komisioni do të jetë në muajin prill.

 

Ndërkohe agjencia greke e lajmeve AMNA ka publikuar një shkresë të firmosur nga ish-Kryeministri Adil Çarçani me datë 12 shkurt 1985 dhe nxjerr në dritë  urdhrin drejtuar komiteteve Ekzekutive ne disa rrethe për gjetjen e identifikimin dhe saktësimin e numrit të ushtarëve grekë të vrarë në këto zona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *