Vetëm në orët e para të mëngjesit është arritur të vihen nën kontroll vatrat e zjarrit që rrethuan kryeqytetin grek të mërkurën. Dhe sot, Athina duket kështu.

 

Autoritetet shëndetësore njoftuan se janë regjistruar nivele deri në 465 mikrogram pjesëzash pluhuri të imët karboni për metër kub. Ndërsa kufiri normal i vlerës është 50 mikrogramë për metër kub ajër.

 

Ndërkohë situata paraqitet kritike në ishullin Evia, në zonat Ilia dhe Messinia në Peloponez pasi gjatë natës u aktivizuan vatra të reja. Muzeu i Olimpisë së Lashtë, shtëpia e Lojërave të para Olimpike gjithashtu është në rrezik. Franca ka dërguar 81 zjarrfikës për ndihmë dhe Suedia, dy avionë hedhës uji.

 

Shtabi i emergjencës vendosi që forcat e armatosura të bëhen pjesë e luftës për të vënë zjarret nën kontroll. Sipas vlerësimeve të deritanishme, 12,500 hektarë tokë u dogj dhe njëqind shtëpi u shkatërruan ose u dëmtuan pjesërisht.

 

Nga ana tjetër, në bregdetin e Egjeut në Turqi u përfshi nga zjarret termocentrali Kermekoy në provincën Mugla. Para evakuimit punëtorët arritën të zbraznin rezervuarët ftohës të mbushur me hidrogjen. Për prodhimin e energjisë elektrike termocentrali përdor qymyr dhe naftë.

 

Javën e kaluar Ankaraja u detyrua të pranonte se numri i avionëve dhe i helikopterëve për të luftuar në mënyrë efektive flakët është i pamjaftueshëm. Megjithatë Presidenti Erdogan refuzoi ofertën e Greqisë dhe të Izraelit për të dërguar avionë dhe helikopterë.

 

Zjarret që po vazhdojnë prej më shumë se një jave kanë shkaktuar në Turqi tetë viktima dhe kanë shkatërruar zona të mëdha pyjore përgjatë brigjeve të Detit Egje dhe Detit Mesdhe. Mijëra qytetarë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *