E shtunë, 31 Tetor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Atentati ndaj Trump, profili i të dyshuarit dhe dëshira e tij për të vdekur për Ukrainën

Ryan Wesley Routh, 58-vjeç nga Havai, është autori i dyshuar i atentatit në tentativë ndaj kandidatit për president të SHBA, Donald Trump.

Sipas të dhënave Routh është punëtor ndërtimi me një histori të gjatë shkeljesh ligjore. I zhvendosur nga Karolina e Veriut në Havai disa vite më parë ai kishte shprehur në rrjetet sociale mbështetje për Partinë Demokratike në SHBA dhe për Ukrainën.

Reklamë

Incidenti ndodhi vonë të dielën pranë një prej klubeve të golfit në Florida, ku ish-presidenti ishte duke luajtur. Agjentët e shërbimit sekret qëlluan drejt një personi të armatosur, i cili ishte fshehur mes shkurreve pranë fushës së golfit rreth 400 metra larg Trump.

Reklamë

Autori i dyshuar la një armë të gjatë të tipit “Ak47” dhe sende të tjera që dukej se do t’i përdorte për atentatin dhe u largua me një automjet, por u arrestua pak momente më vonë. Ai është dërguar tashmë në paraburgim dhe autoritetet po hetojnë rrethanat për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Menjëherë pas ngjarjes autoritetet njoftuan se Trump ishte i sigurt dhe i padëmtuar nga tentativa e dështuar, ndërsa vetë ish-presidenti reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale. Trump lavdëroi punën e agjentëve të sigurisë dhe siguroi mbështetësit se ishte mirë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden reagoi duke thënë se në SHBA nuk ka vend për dhunë. “Unë kam urdhëruar ekipin tim të vazhdojë të sigurohet që Shërbimi Sekret ka burime, kapacitete dhe masa aktive për të garantuar sigurinë e vazhdueshme të ish-presidentit”, tha Biden përmes një deklarate.

Incidenti ndaj Trump vjen vetëm 50 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe rreth dy muaj pas tentativës për vrasjen e tij. Në muajin korrik një person qëlloi Trump teksa ai mbante një tubim parazgjedhor në Pensilvani, duke e lënë atë plagosur lehtë në veshin e djathtë. Një person nga publiku mbeti i vrarë në atë ngjarje.

Edhe para këtij atentati në SHBA ka pasur shqetësime në rritje për përshkallëzimin e dhunës politike, si pasojë e përçarjeve të thella në shoqëri për çështje si: imigracioni, aborti dhe kontrolli i armëve. /vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë