Subscribe

Policia e Lezhës mori në pyetje Ylli Brahimin, të plagosurin e ngjarjes mafioze në Milot, ku mbeti i vdekur shoku i tij Klisman Preçi. Brahimi ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që ai është pyetur nga hetuesit nëse ka dijeni se kush mund të jenë autorët e atentatit.

 

Ai mësohet të ketë thënë se nuk arriti dot të identifikojë agresorët. Referuar dëshmisë, ngjarja e rëndë mund të ketë lidhje me atentatin që i është bërë atij para disa muajsh po në Milot, ku dy persona të paidentifikuar e qëlluan nga një motor në ecje.

 

Deri më tani, vrasja në Milot është pa autor. Ndërkohë në polici janë shoqëruar të paktën 12 persona të dyshuar se mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit. Por dëshmitë e tyre nuk sollën të reja për të ndihmuar hetuesit për zbardhjen e identitetit të autorëve.

 

Në vendin e ngjarjes hetuesit sekuestruan 108 gëzhoja kallashnikovi, prova që tregojnë se sulmi ishte brutal, për t’u siguruar që të dy personat të vriteshin. Plumbat nuk depërtuan brenda mjetit të blinduar ku ndodheshin Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi. Ky i fundit u vra vetëm pasi doli nga makina.

Nga ana tjetër, Ylli Brahimi pasi tentoi të dilte nga mjeti, është futur sërish brenda duke qëndruar deri sa autorët u larguar nga vendngjarja. Ai është plagosur me dy plumba, një në bark dhe një në këmbë. Policia sekuestroi kamerat e sigurisë dhe po përpiqet të gjejë elementë që mund të zbulojnë identitetin e agresorëve.

 

Pistat e policisë mbetet të hapura, por krimi dyshohet se lidhet me të kaluarën kriminale, ose hakmarrjen mes grupeve rivale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *