Bujar Nasufi, 56-vjeç, pronar i një mobileri ka humbur jetën mbrëmjen e sotme (12 janar) pasi është qëlluar me armë zjarri në zonën e Pallatit me Shigjeta në Tiranë.
Nasufi së bashku me vëllanë e tij, ishin bashkëpronar të mobilerisë, e cila ndodhej shumë pranë vendngjarjes, afër rrugës “Irfan Tomini”.
Vizion Plus mëson se biznesmeni rezulton pa precedent penalë.
Sa i përket autrit/ëve, ata ishin të mbuluar me kapuç dhe janë larguar me motor drejt zonës së Selitës.
“Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv





