Pas tre muajve në gjendje të rëndë në spital, Enea Thomaraj, i riu i cili mbeti i lënduar nga shpërthimi i tritolit që iu vu motrave Nikolli në derën e shtëpisë së tyre në Elbasan, ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.
29-vjeçari u bë rastësisht viktimë e një atentati që kishte shënjestër personat që banonin përballë apartamentit të tij.
Lexo edhe :
Related Posts
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 korrik 2024, në katin e katërt të një pallati në Elbasan, aty ku banonin prej dy muajsh dy motrat Xhovana dhe Alda Nikolli, fqinje me familjen Thomaraj.
Babai i 29-vjeçarit tregoi atëherë tha se djali ishte plagosur rëndë nga dera që i ra sipër si pasojë e shpërthimit të fuqishëm të tritolit.
Pas marrjes së lajmit për vdekjen e të riut, fqinjët e tij janë shprehur të tronditur.
“Më është mpirë truri komplet, më erdhi keq jashtë mase”, tha një fqinj.
“Nga i keqi e pëson ai i miri. Gjynah shumë, djalë i ri. Mjerë nëna dhe babai. Më keq nuk ka ku shkon”, tha fqinji tjetër.
“Ato dy vajzat ishin qiraxhie, ku e dinim ne se çfarë punësh kanë me njëri-tjetrin, e ha i pafajshmi. Shumë e dhimbshme”, tha një fqinj.
Autori i kësaj ngjarjeje është identifikuar nga policia, por nuk është arrestuar ende. Ndërkohë, pas ngjarjes, njëra nga motrat, Xhovana Nikolli akuzoi drejtpërdrejt Nuredin Dumanin , si personin që urdhëroi vendosjes së tritolit, pasi Dumani njihet si rivali i partnerit të saj, Amarildo Nikolli.
Shpërthimi me tritol po hetohet nga SPAK, së bashku me dosjen e Nuredin Dumanit pasi motrat Nikolli akuzuan të penduarin e drejtësisë, me të cilin njëra prej tyre, Alda, kishte nisur një lidhje. /vizionplus.tv







