Ata që pinë një cigare të vetme në ditë, marrin përsipër rreth gjysmën e rrezikut për sëmundje koronare dhe iktus, krahasuar me ata që pinë 20 cigare, pra, i nënshtrohen një rreziku shumë më të madh nga sa mendohet. Kështu thuhet në një vëzhgim që është publikuar në “British Medical Journal”.

 
“Duhanpirësit duhet të heqin dorë plotësisht nga duhani, në vend që të reduktojnë sasinë e cigareve, nëse duan vërtet të zvogëlojnë rrezikun për sëmundje kardiake dhe iktus. Këto informacione mund të jenë veçanërisht të nevojshme në fillim të një viti të ri, kur zakonisht, shumë duhanpirës vendosin ta lënë duhanin ose ta pinë më pak atë”, konfirmon Allan Hackshaw (Instituti i Kancerit, Universiteti i Londrës) që ka udhëhequr grupin e studimit. Studimet e mëparshme të veçuara kanë treguar se pirja e 1-5 cigareve në ditë, është e lidhur me një rrezik për sëmundje kardiake, më të madh nga ç’mendohej.

 
Për të thelluar argumentin, kërkuesit kanë analizuar rezultatet e 141 studimeve dhe kanë vlerësuar rreziqet relative të pirjes së 1-5 apo 20 cigareve në ditë. Rezultatet kanë treguar se burrat që pinin një cigare në ditë, kishin 46% më shumë rrezik për sëmundje kardiake dhe 41% më shumë rrezik relativ, krahasuar me ata që pinin 20 cigare në ditë, shumë më shumë se 5%, sa ishte parashikuar, duke u bazuar në një lidhje të thjeshtë lineare. Në rastin e grave, ato që pinin një cigare në ditë, kishin 31% rrezik të shtuar për sëmundje kardiake dhe 34% rrezik shtesë për iktus, krahasuar me shifrat e raportuara për konsumimin e 20 cigareve në ditë.

 
“Kemi zbuluar se një përqindje e madhe rreziku për sëmundje koronare dhe iktus vjen nga pirja edhe e vetëm disa cigareve në ditë. Kjo mund të jetë një surprizë për shumë vetë, por ekzistojnë edhe mekanizma biologjikë që ndihmojnë shpjegimin e rrezikut të lartë, që duket i papritur, lidhur me një nivel më të ulët të duhanpirjes. Sëmundja kardiovaskulare dhe jo kanceri, paraqet një rrezik më të madh të vdekshmërisë për shkak të duhanit, me rreth 48% vdekje të parakohshme të lidhura me duhanin”, përfundojnë autorët.

 
Në një editorial shoqërues, Kenneth Johnson-i (Universiteti i Oktavës, Kanada) përshkruan ndikimet e këtyre rezultateve në shëndetin publik: “Vetëm lënia e plotë e duhanit është mbrojtëse dhe ky fakt duhet të nënvizohet në të gjitha masat dhe politikat parandaluese. Mesazhi që u drejtohet posaçërisht duhanpirësve është se “ekspozimi ndaj tymit të cigares, sado i vogël qoftë ai, është i tepërt”, përfundon editorialisti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *