Subscribe

Mungesa e transparencës në eksportin e vaksinave është kthyer në një problem serioz në BE, sidomos pasi kompania britaniko-suedeze, Astrazeneca deklaroi se nuk mund ti përmbahet kontratës së nënshkruar me unionin.

Agjencia europiane e barnave mund të autorizojë produktin këtë të premte por në vend të 80 milion dozave, do të lëvrohen vetëm rreth 30 milionë. Komisioni Europian kërcënoi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore.

 

STELLA KYRIAKIDES

KOMISIONERE E BE PER SIGURINE E BARNAVE DHE USHQIMIT

 

“Të premten e kaluar, kompania AstraZeneca befasisht informoi Komisionin dhe Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian se synon të ofrojë 60 % më pak doza nga sa është rënë dakord. Ky plan i ri nuk është i pranueshëm për Bashkimin Europian. Ne duam që kontrata jonë të përmbushet plotësisht dhe dozat e porositura e të para-financuara të dorëzohen sa më shpejt të jetë e mundur.”

 

Komisionerja Kyriakides gjithashtu nënvizoi nevojën për transparencë pasi zhvillimet më të fundit kanë shkaktuar vonesa kaotike në programin e shpërndarjes së vaksinës.

 

 “Ne duam qartësi në transaksione dhe transparencë të plotë në lidhje me eksportin e vaksinave nga BE. Në të ardhmen, të gjitha kompanitë që prodhojnë vaksina kundër COVID-19 në BE do të duhet të japin njoftim të hershëm sa herë që duan të eksportojnë vaksina në vendet e treta. Bashkimi Europian do të ndërmarrë çdo veprim që kërkohet për të mbrojtur qytetarët dhe të drejtat e tyre.”

 

Një tjetër detaj që krijon paqartësi është fakti se shkurtimet e dërgesave të Biontech/Pfizer prekin të gjithë klientët që furnizohen nga fabrikat europiane. Në rastin e AstraZeneca-s, pakësimi vlen vetëm për BE dhe jo për Britaninë e Madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *