Subscribe

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të diskutohet sot në Bruksel, në takimin që do të mbahet në nivel ekspertësh.

 

Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesi special i BE për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Në një postim në rrjetin social twitter, Miroslav Lajcak ka deklaruar se kjo çështje është komplekse dhe do të shtrohet në tryezë pasi të zgjidhen së pari pretendimet financiare.

 

Ndërkohë kryeministri Avdullah Hoti raporton sot në kuvendin e Kosovës mbi ecurinë e procesit të dialogut, pas kritikave nga kreu i shtetit, kryetarja e kuvendit si dhe opozita mbi rikthimin e çështjes së bashkimit të komunave me shumicë serbe.

 

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se diskutimi për Asociacionin është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit.

 

Por kryeministri Hoti garanton se nuk do të ndërmarrë asnjë hap që cënon sovranitetin e vendit.

 

Kreu i ekzekutivit këmbëngul se çdo dakordësi do të jetë në kuadër të marrëveshjes përfundimtare që rezultat do të ketë njohjen e ndërsjelltë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *