Ndonëse mes turmës së sulmuar me kamion në shëtitoren e Nisës kishte edhe shqiptarë, fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është lënduar. Ministria e Jashtme ka konfirmuar se mes viktimave, nuk ka asnjë shtetas nga Shqipëria. Por megjithatë, ambasada jonë në Paris ka vënë në dispozicion një numër, për t’i ardhur në ndihmë çdokujt qe mund te ketë pësuar probleme nga sulmi terrorist. Një dëshmitare ka treguar për emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus se si ndodhi ngjarja dhe si mundi t’i shpëtojë sulmit. Ndërkohe krerët më të lartë të shtetit kanë dënuar njëzëri sulmin terrorist në Nisë. Presidenti Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti homologut francez François Hollande.
“E dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor dhe në këto momente dhimbje dhe zemërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ju dhe popullin francez”- shkruan Nishani.
Përmes një statusi në Facebook, Kryeministria Rama ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave: Strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjezoje kurre boten e lire! Nazizmi i ri do te mundet njesoj si i vjetri! Franca dhe liria do triumfojne.
Edhe kreu i opozitës Lulzim Basha e ka quajtur ngjarjen një sulm shtazarak, qe ka ngjallur trishtim dhe zemërim.