Gazetari Flogert Muça u shpreh se në zgjedhjet e 11 majit, partia fituese do të jetë Partia Socialiste.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderatorin Roland Zilin, gazetari tha se shanset janë që Edi Rama të marrë në mesin e asaj që thotë (78 mandate të sigurta me një projeksion 88 deputetë) me minimumin dhe maksimumin.
Sa i përket lajmit të heqjes së non gratës Berisha, Muça tha se është jë nga asat që janë paguar 6 milion për t’u nxjerrë në këtë moment.
Pjesë nga intervista:
Sot Rama ka publikuar bastin e tij të ri për këto zgjedhje, duke thënë se PS merr 78 mandate të sigurta me një projeksion 88 deputetë. Sa realist e shikoni ju këtë bast?
Muça: Duke iu referuar sondazheve që qarkullojnë, por edhe sistemit elektoral që ne kemi, shanset janë që Edi Rama të marrë aq sa thotë, në mesin e asaj që thotë me minimumin dhe maksimumin. Se 88 është shumë e vështirë. Rama mund të marrë më pak vota se në vitin 2021 dhe më shumë mandate se në vitin 2021. Pra, është ky paradoks që e prodhon sistemi, i cili të gjitha votat që mund të marrë Shehaj, Lapaj, Basha etj mund të jenë të pamjaftueshme për të prodhuar një mandat për këto parti, por të mjaftueshme për t’i hequr mandatin Partisë Demokratike dhe për t’ia dhënë Partisë Socialiste. Vetë sistemi është një i tillë, që e kanë votuar Rama dhe Berisha, është sistem që favorizon partinë e parë. Dhe partia e parë me të gjitha gjasat do të jetë sërish Partia Socialiste.
Besoni se premtimi “Shqipëria drejt BE” ka ngjitur te votuesit? Ka arritur të thithë vota?
Muça: Konteksti i parë është ai gjeopolitik. Kemi një prishje balancash në botë. Kemi një shfuqizim të Europës nga qeveria e re e SHBA, që ia ka bërë të domosdoshme Europës zgjerimin e saj. Nga ana tjetër, nuk do të thotë që mjafton vetëm kjo që ti të bëhesh pjesë e Bashkimit Europian, duhet që të bësh punët dhe të kesh edhe marrëdhënie të mira miqësore me kryeministrat e vendeve që do të votojnë. Opozita ka bërë një autogol. Autogoli është se gjatë gjithë kohës ka thënë që ka shoqe Melonin Rama, ka shok Macronin, dhe të gjitha këto, për t’u anëtarësuar, janë kthyer në favor të Ramës. Për mua, kryesore është momenti gjeopolitik ku ndodhet Europa, problemet që kanë me Rusinë dhe nevoja që kanë për t’u rritur, zgjeruar.
Berisha po i gëzohet lajmit që vjen nga SHBA, që ka nevojë edhe për konfirmime të tjera. Sipas lajmit, Departamenti i Shtetit lejon Berishën të shkojë në SHBA. Ju si e shihni mënyrën se si po përdoret ky lajm në kuadër të fushatës nga opozita?
Muça: Në fushata ka disa asa nën mëngë që palët i përdorin për të surprizuar publikun dhe kundërshtarin. Dhe mesa duket, ky është një nga asat që janë paguar 6 milion për t’u nxjerrë në këtë moment. Ajo që më duket mua harxhim kohe dhe energjie është se nuk kemi ende asnjë dokument zyrtar. E dyta, në raste të jashtëzakonshme e të veçanta jepen leje speciale. Do të ishte lajm i mirë që doktorit t’i hiqej “non grata”-ja, sepse poshtë emrit të doktorit është emri Shqipëri, pra vendi nga vjen. Por shoh veç një tentativë tre ditë para zgjedhjeve.
/vizionplus.tv





