I fundit në radhë, qarku i Durrësit nuk solli asnjë tjetërsim rezultati nga procesi i rinumërimit të votave.
Ajo që humbi më tepër vota ishte vetë Partia Demokratike edhe pse kërkesa për rinumërim u bë nga kandidati i të njëjtës parti, Aulon Kalaja.
KAS vendosi që për këtë qark të hapte rreth 300 kuti përfshirë edhe 85 nga diaspora, por sërish nuk pati asnjë ndryshim mandatesh mes forcave politike ndërsa votat u pasqyruan me ndryshime të lehta te kandidatët, përkatësisht Arjan Ndoja i cili i mori mandatin e deputetit Aulon Kalaja me rreth 1000 vota diferencë, humbi 86 vota që i kishte marrë padrejtësisht në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa Aulon Kalaja fitoi 12 vota.
Por si pasqyrohet rezultati te kandidatët e tjerë në këtë qark brenda PD dhe PS?
Sa i përket kandidatëve të tjerë në PD, 54 vota i shtohen Emri Vatës, 17 i shtohen Edlira Harizit, 24 Ndrec Pjetrit, ndërsa 39 i hiqen Petro Vokopolës.
Te socialistët, Arkend Balla ka marrë 63 vota pa meritë, që i hiqen nga numërimi i parë. Ani Dyrmishi rikuperon 18 vota, Alban Xhelili 25, kurse Erjon Xhili humb 37 vota.
Ditën e hënë, KAS do të japë verdiktin final për çertifikimin e rezultatit të 11 majit në këto 4 qarqe, ndërsa PD ka lajmëruar se do të shkojë edhe për këto 4 raste në Kolegjin Zgjedhor, për të kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve, pavarësisht se kërkesat për qarqet e tjera i janë rrëzuar./vizionplus.tv