Kjo është vetëm pak nga perfomanca e veçantë që do të mund të ndiqni në Teatrin e Operas dhe Baletit mbrëmjen e sotme. Këta të rinj kanë mbërritur nga Kina për të sjellë shijen aziatike në kryeqytet. Pjesëtarët e një çadre cirku në Kinë, por njëkohësisht edhe balerinë e studiues të arteve marciale, pritet të sjellin sot në Tiranë një spektakël tërësisht ndryshe nga ato që keni shijuar gjatë gjithë sezonit artistik në TKOB.
“Jemi shumë të lumtur që do të performojmë sot në teatrin tuaj, pasi përtej marrëdhënieve shumë të mira që ka populli kinez me atë shqiptar, ne sot performojmë për herë të parë këtu në mënyrë që të njihemi edhe më mirë. Asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të njohur kulturën e një populli mik. Ne do të sjellim një spektakël me muzikë kineze, me vallëzim kinez, një balet që ndërthuret me artet marciale, ekzaktësisht me Kung Fu-në, një lloj arti që me siguri e njihni”.
Por, pavarësisht se në Kinë Kung Fu-ja është një lloj arti sport që ndiqet edhe nga femrat, në skenë kjo performancë që duket sa moderne dhe e veçantë për ne dhe aq tradicionale për ata, interpretohet nga një grup djemsh. Megjithatë në këtë spektakël nuk do të mungojnë artistet femra, që do të sjellin muzikën dhe baletin më klasik. Të tilla, ngjyra të bukura premtojnë organizatorët, për gjithë spektaklin që e pret publikun kryeqytetas pa bileta.