Skenës sonë operistike i mungon një tenor, ndërsa artistë të tjerë, jo pak herë marrin dy-tre role. Por falë modeleve evropiane, ku artistët pa kontrata mund të ngjiten në disa skena operistike, mungesa edhe e ndonjë këngëtari lirik me kohë të plotë, nuk e shqetëson publikun shqiptar. Federico Benetti është një prej atyre artistëve që pas La Scalës, ka shëtitur në disa skena evropiane. Në Tiranë vjen pas një produksioni të rëndësishëm në Francë. Është hera e parë që performon në Teatrin e Operas dhe Baletit, por kur e ftuan nuk u mendua dy herë, pasi për këtë teatër kishte dëgjuar fjalët më të mira nga miku i tij Marco Ciaponi, që numëron disa shfaqje në Tiranë.

“Ka qenë një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, pasi në asnjë moment nuk e kam ndier veten të huaj. Të gjithë dinin italisht dhe këngëtarët lirikë ishin profesionistë. U përgatita në një kohë rekord pasi vija nga një tjetër rol në Francë, por gjithçka shkoi shumë mirë. Jam ndier i suprizuar nga publiku. Miku im Marko më kishte thënë që Tirana është tërheqëse dhe gjithçka ishte vërtet ashtu si më kishte thënë dhe ashtu si e prisja”.

Në operan “Cossi Fan Tutte”, Federico debutonte në rolin e Don Alfonsos, një njeriu të moshuar që vetëm me një bast ndërton gjithë rrjedhën e ngjarjeve.

“Ky rol më ka pëlqyer shumë, pasi ai ndjell gjithçka ndodh më pas në vepër. Do të rikthehem në Tirana sa herë të doni që ta rivendosni në skenë këtë vepër. Sepse kryeqyteti juaj më ka surprizuar. Ka ndryshime të mëdha nga ajo që kisha dëgjuar. Nuk e mendoja kaq evropian këtë vend. Shpresoj që edhe ky teatër i vjetër të pësojë ndryshimet që i duhen si ndërtesë, për të pritur sa më mirë artistët që performojnë këtu. Megjithatë, mendoj se artin nuk e bëjnë ndërtesat por personat që punojnë në të. Këtu ka njerëz të rinj që pavarësisht se punojnë në një godinë të vjetër kanë dëshirë të madhe për të punuar”.

Projekti i tij i radhës është në Gjermani, por është gati të pranojë edhe ndonjë projekt tjetër në Tiranë, nëse ne kalendarin e ri artistik i propozohet një rol i mirë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *