Artistët e huaj zbarkojnë këtë fundjavë në Tiranë. I pari që ka mbërritur në kryeqytet është fotografi Jose Manuel Navia, një nga më të mirët e Spanjës. Përmes 50 fotografive, ai sjell udhëtimin pamor nëpër vendet dhe shtigjet ku kaloi Migel de Servantes përgjatë gjithë jetës së tij. Teatri i Operas dhe Baletit, pas projektit Koreolabos që vlerësoi të rinjtë krijues, është gati të presë dy trupa baleti. Një ditë kohë është mjaftueshëm që skena e madhe të jetë gati për të pritur trupën maqedonase të baletit. Ata sjellin për publikun shqiptar baletin modern “Dhoma e kuqe” me koreografi të Igor Kirov dhe muzikë të Franz Schubert. Subjekti trajton kontrastin mes tokësores dhe të përtejmes, dëshirën për unitet dhe asaj për vetmi. Fundjava zgjat edhe më shumë në TKOB, pasi mbrëmjen e së hënës në skenë të ngjitet edhe një grup artistik kinez që do të sjellë më shumë shije aziatike. Nuk do të ndodhë kështu me skenat e tjera teatrale, pasi Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental lajmërojnë takimin e radhës, në shtator.