“Arsimi profesional nuk është ngushëllim për dikë që nuk ndjek dot fakultetin. Por është një talent”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë Konferencës Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional.
Rama solli në vëmendje eksperiencën e punonjësve të hotelit në Malin e Zi dhe arsyet pse ata nuk zgjedhin të largohen nga vendi i tyre.
“Arsimi profesional nuk është ngushëllim për dikë që nuk ndjek dot fakultetin. Por është një talent. Të mos mbetet një shërbëtor, por me dijen e tij të bëjë të ardhura, të krijojë një biznes të vogël dhe të shërbejë në të gjitha sistemet, që nga ato digjitalet deri tek shërbimet. Në hotelin në Mal të Zi, , njerëzit i dilnin në aeroport investitorit dhe i këndonin këngën e librit të shtëpisë. Ata që pashë unë, ishin djem dhe vajza nga Mali i Zi, të gjithë me shkollë profesionale turizëm, të gjithë krenarë. Kur i pyesja pse nuk iknin se kishin shkollë, thoshin se nuk u del më shumë në fund të muajit. Nëse ikin në Zvicër, do marrin më shumë pagesë, por do paguajnë më shumë qera dhe taksa. Por këtë mundësi ja u jep ai hotel, që i ka punësuar”, tha Rama.
Kryeministri më tej foli edhe për industrinë që do hapet në Vlorë për ndërtimin e anijeve, aty ku do të hapen 400 vende pune.
“Në Vlorë do hapet industria e anijeve. E kemi kantierin, por asgjë tjetër veç kantierit nga e shkuara. Për arsye se ata duan të shtojnë profilin në anije ushtarake, duan ti bëjnë me ne në Shqipëri. Do prodhojmë anije luftarake për ushtrinë tonë, mos gabohem 2, në bazë të kapaciteteve të përgatitur nga NATO dhe më pas do bëjmë dhe dpo shesim anije. Do shkojmë në shkollën industriale të Vlorës për të prezantuar projektin dhe për të ftuar vajzat dhe djemtë që të firmosin marrëveshje dhe të trajnohen në Itali për të qenë gati. Bëhet fjalë për 400 vende punë në fillim, që më pas do shkojë në 800. Nuk janë vende pune për juristë, sepse jemi vendi me më shumë juristë për metër katrorë. Do shkojmë deri tek prodhimi i robotëve. Arsimi profesional do mbetet një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë. Nuk besoj se deti do futet në celularë dhe do ofroj mundësinë për të bërë not, nuk besoj se dielli do futet në celular për të bërë banjo dielli. Nuk besoj se celulari do kthehet në një hotel. Njerëzit do kenë nevojë të shërbehen nga njerëz”, tha Rama.





