Subscribe

Ish-kreu i Bashkisë Fushë-Arrëz, Fran Tuci, u arrestua mbrëmjen e 12 korrikut me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për shpërdorim detyre dhe shkatërrim të pronës, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 234 milionë lekë.

 

SPAK bëri të ditur se kandidati nga radhët e Partisë Socialiste për vendoret e 14 majit, i cili kërkonte një mandat të tretë, përgjatë kohës kur drejtonte bashkinë e Fushë-Arrëzit dyshohet se ka lejuar ndërtimin e një segmenti të ri rrugor me gjatësi rreth 1.8 kilometër, rrugë e cila përshkonte një zonë të pyllëzuar, por e pamiratuar nga autoritetet kompetente.

 

Veprat penale janë kryer në bashkëpunim me administratorin e njësisë administrative Iballë, Ndoc Marku, dhe atë të një firmë private duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

 

Për ish-kryetarin e bashkisë, i cili e ka mbajtur këtë post për dy mandate, SPAK ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg, për administratorin e njësisë Iballë arrest shtëpiak, ndërsa për personin që kreu punimet detyrim paraqitje.

 

Tashme do të jenë togat e zeza ato që do të vendosin për fatin e ish-kryetarit të bashkisë, nëse do ta lënë në burg deri në përfundim të hetimeve apo në një masë më të butë sigurie.

 

Vepra penale e shpërdorimit të detyrës për të cilën akuzohet Fran Tuci parashikon një dënim me burg deri në 7 vjet, ndërsa ajo e shkatërrimit të pronës me gjobë ose deri në 3 vjet heqje lirie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *