Policia arrestoi Elvis Rroshin, kryebashkiakun e dorëhequr të Kavajës, pas një vendimi të Gjykatës, e cila caktoi masën e arrestit me burg për 41-vjeçarin. Vendimi u zbatua nga Komisariati i Kavajës, ndërkohë që pas disa orësh, Rroshi u shoqërua për në ambientet e Drejtorisë së policisë në Tiranë. Sipas organit të akuzës, Rroshi dyshohet se ka shkelur ligjin për dekriminalizimin, duke falsifikuar dokumentet, pasi në formularin e vetëdeklarimit ka fshehur të dhëna që tregojnë se ka qenë i dënuar në Itali. Elvis Rroshi u vendos nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme nga sektori i posaçëm i dekriminalizimit për dyshimet se kishte konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Sipas Prokurorisë 41- vjeçari, nuk ka deklaruar një dënim të dhënë në vitin 1996 për veprën e përdhunimit në Campo Basso, por ka pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën e parë të formularit. Po ashtu, thuhet në njoftimin e prokurorisë , ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran në vitet 1995 dhe 1993, nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht 1997 në Zvicer me urdhër të gjykatës së Zyrihut dhe është dëbuar sërish. Po sipas prokurorisë, janë siguruar të dhëna se Roshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Në 31 maj, kryebashkiaku i Kavajës dha dorëheqjen pasi siç deklaroi, avokatët e tij kishin zbuluar se ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burg nga drejtësia italiane në vitin 1992, atëherë kur ishte në moshën 16-vjeçare. Ndërsa tre ditë më pas, Rroshi tërhoqi dorëheqjen pasi publikoi dy dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga drejtësia italiane, ku ai rezultonte i padënuar me të dy emrat, Ervin dhe Elvis. Vetë Elvis Rroshi reagoi për arrestimin. Ai shkroi se e mirëpret ballafaqimin me drejtësinë e Sali Berishës dhe se do te provoje gjithe pafajësinë per kete poshtërsi. Kam angazhuar avokate te njohur italiane qe janë skandalizuar me gjithë kete sulm ordineresh ndaj meje. Ata me kane siguruar se kjo është diçka e pabesueshme dhe betejën sado e gjate te jete do ta fitojme, – shkruan Rroshi.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *