Arrestohet 35-vjeçari që shpërndante kokainë në lokale dhe lagje të Korçës

Një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur nga policia në qytetin e Korçës, si pjesë e një sërë operacionesh të njëpasnjëshme që po zhvillohen për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.
Operacioni policor i koduar “Porosia”, i zhvilluar me metoda speciale hetimi nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë, çoi në pranga një 35-vjeçar, i cili dyshohet se siguronte kokainë dhe më pas e shpërndante në doza të vogla në ambiente lokale dhe lagje të ndryshme të qytetit.
Burime nga Policia e Korçës bëjnë me dije se pas një hetimi të mirëorganizuar, shërbimet operacionale lokalizuan automjetin që drejtohej nga i dyshuari, duke e ndaluar në lagjen nr. 4 të qytetit. Gjatë kontrollit të mjetit dhe më pas ndaj vetë drejtuesit, shtetasit D. L., janë gjetur dhe sekuestruar disa doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të gatshme për shitje.
Së bashku me sasinë e kokainës, janë sekuestruar edhe tre aparate celularë dhe automjeti që dyshohet se përdorej për shpërndarjen e drogës.
Në përfundim të veprimeve procedurale, policia arrestoi në flagrancë 35-vjeçarin me inicialet D. L., banues në Korçë, i akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të tjerëve të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së drogave të forta./vizionplus.tv




