E mërkurë, 7 Tetor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Arrestohen trafikantët e kokainës, katër persona në pranga! Sekuestrohet 1 kg lëndë narkotike

Duke mbajtur një kapele të bardhë në mënyrë që mos të identifikohej nga kamerat e sigurisë, Gëzim Pashaj kishte lënë takim në këtë lokal në rrugën Myslym Shyri me Armet Latifajn për ti dhënë më shumë se 1 kg kokainë.

Pazari mes dy të rinjve ishte mbyllur më herët, kjo pasi ata prej kohësh ishin të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike kryesisht në këtë zonë si dhe në atë të ish-bllokut, apo vende të tjera me lokale nate në Tiranë.

Reklamë

Fill pas takimit, Antidroga e Tiranës, e cili kishte mbi 3 muaj që kishte përgjuar këtë grup kriminal, ndërhyri dhe arrestoi dy bashkëpunëtorët në trafik.

Gëzim Pashaj, 30-vjeç rezulton i dënuar më herët për drogë në Zvicër, ndërkohë vitet e fundit jetonte në Greqi. Në takimin për të dhënë lëndën narkotike, ai shkoi me një Benz të bardhë bashkë me dy shokët e tij, shtetasin grek  Petros Koronoias dhe Jastin Zaimin.

Reklamë

Edhe Armet Latifaj përdorte makinë identike si bashkëpunëtori i tij, në mënyrë që në rast se do të ndiqeshin nga policia, të krijonin konfuzion.

Zaimi dhe shtetasi grek janë akuzuar për moskallëzim krimi, ndërkohë vijojnë hetimet për zbulimin e tyre nëse janë të përfshirë apo jo në këtë skemë kriminale.

NJOFTIMI:

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Twins”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-A. L., 25 vjeç, G. P., 30 vjeç, P. K., 18 vjeç dhe J. Z., 18 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit A. L dhe G. P, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen. Ndërsa shtetasit P. K dhe J. Z, shtetas grek, nuk kanë kallëzuar për krimin, shokë me 2 të arrestuarit e lartpërmendur.

Më tej, nga hetimet ka rezultuar se shtetasit A. L. dhe G. P. përdornin automjetet e tyre tip “Benz”, të ngjashme me njëra-tjetrën, për transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, me qëllim konfuzimin e Policisë.

Lënda narkotike, së bashku me 2 automjetet, celularët e shtetasve të arrestuar, dhe një shumë parash, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë video

Reklamë